Quantcast
Channel: Kuriozitete – Lajmi Fundit Nga Shqiperia| Horoskopi Ditor| Lajmet Shqip Nga Kosova
Viewing all articles
Browse latest Browse all 2545

Nard Ndoka: Kur isha ministër, im bir punonte kamarier

$
0
0

TIRANE- Prej 20 vitesh ai ka pasur poste të rëndësishme politike, por sillet si njeri i thjeshtë. E pranon edhe vetë se komunikon me këdo që kërkon diçka prej tij. Kështu ndodhi edhe me ne që kërkuam ta intervistonim. Nard Ndoka u tregua menjëherë i gatshëm të na rrëfente detaje nga jeta familjare që nga fëmijëria e deri sot. I rritur në një familje të persekutuar, të vuajtur, por të pasur në vlera e histori, ai dashuronte librat dhe futbollin. Me të dashurën e jetës është njohur që herët e pas shumë vitesh vendosën të martoheshin bashkë. Tashmë është bërë gjysh dhe thotë se pas disa vitesh nuk do të jetë më politikan aktiv, por gjithmonë do të mbetet një njeri politik.
Z. Ndoka cila është origjina e familjes suaj? Ku keni lindur e jeni rritur?
Kam lindur dhe jam rritur në Vaun e Dejës, të rrethit Shkodër. Një zonë me histori të lashtë, Danja është qyteti ku Gjergj Kastrioti vuri kurorën e martesës në kishën më të vjetër në Shqipëri dhe e treta në Ballkan për nga historia. Danja e Lekë Zaharisë, sot është një pikë e rëndësishme për veriun e Shqipërisë, ku shtrihet Zadrima, fillon Mirdita, ndërlidhet me Pukën, hapet me Komanin dhe Tropojën nëpërmjet liqeneve mbi lumin Drin. Fëmijëria juaj ka qenë e lumtur, apo e vështirë?
Siç e kanë kaluar të gjithë fëmijërinë në atë kohë, e kufizuar në mundësi, në hapësirë dhe problematikë, në mënyrën e jetesës, të lëvizjes dhe të shoqërisë. Familja ime ka qenë një familje e persekutuar nga regjimi komunist, ndaj edhe mundësitë ishin shumë më të kufizuara. Kam marrë nga familja formimin, besimin në Zot, kulturën e përgjithshme dhe forcën e karakterit njerëzor.
Keni jetuar në një familje të pasur?
Kam jetuar në një familje të pasur në vlera dhe histori. Gjyshi im nga babai ka qenë këshilltar politik i Kapedanit të Mirditës, Gjon Mark Gjonit. Kryetar i këshillit në atë kohë, i dënuar me vdekje nga regjimi komunist për bashkëpunim me misionin anglez në Shqipëri. Gjyshi nga nëna, arratisur në Gjermani për vite të tëra, shkolluar dhe i përndjekur si një antikomunist dhe veprimtar politik kundër sistemit komunist në Shqipëri. Çfarë pune bënte babai?
Babai ka mbaruar shkollën Profesionale në Tiranë në ato vite dhe ka punuar si hidraulik për vite të tëra.
Cilin ruani si kujtimin më të bukur të fëmijërisë?
Kujtimet më të bukura për mua kanë qenë konkurset letrare në shkolla, ku jam shpallur disa herë radhazi “Mik i vogël i librit”. Po ashtu doja shumë futbollin. Në rininë time kam qenë shumë aktiv dhe një futbollist i talentuar si sulmues. Kam luajtur në disa aktivitete sportive, ku kam përfaqësuar shkollën dhe duke vazhduar më tej. Ndihesha i lumtur kur qindra vetë brohorisnin emrin tim, kur shënoja gola dhe sillja fitoren e ekipit me të cilin luaja. Kaq e paktë ishte kënaqësia jonë atë kohë, të tjerat ishin ëndrra dhe fantazi fëminore.
Po të adoleshencës?
Kujtime kalimtare, pa mbresa të veçanta. Një fëmijë që rrethohej nga përkujdesja e vazhdueshme e prindërve dhe e gjyshes në veçanti. Mbaj mend që gjyshja më ka mësuar të shkruaj emrin tim që katër vjeç. Por emrin tim ama, jo të partisë apo të Enverit, siç veprohej përgjithësisht në atë periudhë.
Çfarë ëndërronit atëherë, teksa Shqipëria ndodhej nën diktaturë?
Edhe ëndrrat ishin të kufizuara, sepse rriteshim në një atmosferë që nuk të jepte as mundësi të ëndërroje, ndaj edhe ëndrrat tona ishin minimale për fatin e keq. Diktatura e kishte goditur familjen time dhe fisin tim. Ne luftonim për mbijetesë dhe për të ruajtur të pastër e të paprekur emrin e familjes dhe të të parëve tanë, që kishin sakrifikuar jetën për idetë dhe besimin e tyre. Guximi, forca e karakterit dhe ndershmëria e tyre u shndërruan në kredo morale për ne, na frymëzuan të jetonim, duke përballuar sfidat e mëdha të jetës së përditshme.
Keni qenë djalë i urtë apo rebel?
Kam qenë shumë rebel dhe i prapë, por siç ndodh shpesh tek fëmijët, ata që janë të prapë të vegjël rriten dhe piqen më shpejt dhe ndryshojnë, duke ecur pak më shpejt se të tjerët.
Çfarë lexonit asokohe?
Kam lexuar aq shumë, sa biblioteka e shkollës në atë kohe nuk kishte libër që unë nuk kisha vendosur shenjën personale “lexuar, Nardi”. E vetmja kënaqësi që mund të ëndërroje diçka më shumë ishte libri dhe për fat kishte edhe libra të mirë në atë kohë. Kishte edhe “libra të verdhë”, që qarkullonin në rrethe të ngushta. Unë kam trashëguar disa libra nga njerëzit e mi. Kam lexuar Kanunin e Lekë Dukagjinit që 14 vjeç, kam lexuar botime të At Gjergj Fishtës. Në bibliotekën e shtëpisë atëherë kam pasur edhe libra me vlerë të rrallë, por që nuk ua kam ditur vlerën reale atëherë.
Në çfarë moshe jeni dashuruar për herë të parë?
Dashuria e shoqëron njeriun herët. Në atë kohë quhej simpati, dashuria ishte një fjalë që pak përdorej. Ishe i kufizuar të dashuroje në atë kohë. Sot as nuk mund të kuptohet dhe duket sikur e teprojmë me ato çfarë themi dhe kujtojmë nga ajo kohë, por ashtu ishte. Atëherë për dashurinë e përjetshme vendoste familja, si për vajzën maksimalisht, por edhe për djalin.
Ishte e vështirë të lidheshe me një vajzë atëherë?
Ishte shumë e vështirë! Nëse lidheshe me dikë, duhej të martoheshe patjetër, në të kundërt kishe probleme me partinë, këshillin, frontin dhe rininë. Shumica martoheshin nga njohjet familjare, të tjerët që dilnin nga rregulli, shumë prej tyre përfundonin keq me familjet, partinë dhe levat e saj.
Me bashkëshorten si u njohët?
Me bashkëshorten jemi njohur që fëmijë, jemi rritur bashkë, kemi mbaruar të njëjtën shkollë dhe kishim njohje familjare prej vitesh. Bashkëshortja vinte nga një familje akoma më e persekutuar se familja ime, kështu që kishim një arsye më shumë ta shikonim njëri-tjetrin si mundësi për të jetuar së bashku.
Çfarë ju bëri të dashuroheshit me të?
Bashkëshortja ime, Kozeta, ka qenë një nxënëse shumë e mirë, e urtë, inteligjente dhe pak e mbyllur si tip. Që kur ishim të vegjël, njohja jonë hera-herës kalonte në simpati apo diçka më shumë, por ne nuk e kuptonim në atë kohë. Kur u rritëm gjithçka erdhi natyrshëm, por edhe familjet tona kanë pasur një rol në vendimmarrjen tonë.
Pas sa kohësh njohjeje erdhi dasma?
Të njohur që fëmijë, simpati disa vite, dashuruar, fejuar tre ose katër vite dhe më pas dasma.
Jeni babai i katër fëmijëve… Sa i lidhur jeni me ta?
Kam katër fëmijë të mrekullueshëm, një vajzë dhe tre djem. Stela, Elvisi, Aldo dhe Mario, katër fëmijë që na japin jetë, motiv e shpresë familjes sonë që të trashëgojë akoma më tej emrin e mirë të fisit dhe të të parëve tanë. Vajza, Stela, është martuar dhe ka një vajzë, Heisi, pra jam bërë edhe gjysh. Unë jam i lidhur me fëmijët, i dua aq sa duhen fëmijët, por tani i kam më tepër si shokë. Ata kanë punuar që të vegjël, që në shkollë të mesme kanë mësuar dhe punuar. Është e rëndësishme që fëmijëve t’u futësh në gjak punën, sido që të jetë ajo, që të formohen, që të shkathtësohen, por edhe të kontribuojnë për familjen dhe veten e tyre. Unë kam qenë ministër, kur djali i madh ka punuar si kamarier tek një lokal i një mikut tim. Askush nuk e besonte se djali i ministrit punonte kamarier. Sot punojnë të tre djemtë bashkë, nga mëngjesi deri në darkë, duke zëvendësuar njëri-tjetrin. Djali i madh e ka mbaruar shkollën, dy të tjerët e vazhdojnë akoma, por edhe punojnë.
Ankohen ata nga mungesa juaj?
Normale që mund të ankohen, mbasi unë nuk jam gjithmonë pranë tyre, por i kam edukuar, që ata vetë duhen të ecin përpara. Bashkëshortja është më e lidhur me fëmijët, qëndron më afër tyre dhe mbush atë boshllëk, që krijohet nga mungesa ime. Sot ata më zëvendësojnë shpesh në detyrat e mia si kryefamiljar, por edhe më ndihmojnë në angazhimet politike.
Si e kaloni kohën kur jeni të gjithë bashkë?
Të gjithë bashkë bëhemi rrallë, por pushimet, festat na bashkojnë për një kohë më të gjatë, ndërsa darkat çdo natë. Familja është e shenjtë për ne dhe këtë e kanë të qartë të gjithë, ndaj kemi disa rregulla që trashëgohen dhe përpiqemi t’i ruajmë si vlerë dhe pasuri familjare.
Prej më shumë se 20 vitesh jeni në politikë? Përveçse punë, çfarë është politika për ju?
Përveçse punë, është çdo gjë për mua, është jeta ime. Tentova të shkëputem prej saj… Pas zgjedhjeve të 2009-ës, pluralizmi politik mori goditje me Kodin Zgjedhor. Partia që unë drejtoja u godit rëndë nga manipulimi dhe vjedhja e votave. Pas këtyre ngjarjeve, vendosa që të tërhiqem nga politika, është e rëndë për një politikan që e votojnë, por që sistemi dhe mekanizmat e tij të heqin përfaqësimin. Ndihesha keq, madje shumë i lënduar, për mijëra qytetarë, anëtarë dhe simpatizantë demokristianë, që nuk kisha arritur t’i ruaja votat e tyre, që të përfaqësoja votën e tyre dhe alternativën kristiane në parlament. U ndjeva i pafuqishëm dhe i pashpresë që mund ta ndryshoja këtë realitet, ndaj vendosa të largohem nga politika! Të shikoj diçka tjetër, i bindur që kisha edhe mundësi të tjera. Fshiva çdo kontakt nga telefoni im të politikanëve dhe gazetarëve. Provova dhe shijova lirinë time, por vetëm për pak kohë. Qindra sms dhe telefonata të miqve të mi, të bashkëpunëtorëve politikë, të drejtuesve nëpër rrethe dhe shumë të tjerëve. Ishte një moment reflektimi, përgjegjësie, por edhe refleksi, çfarë më bëri të ndryshoj qëndrim. Nuk munda t’i braktisja të tjerët, të hidhja kontributin e tyre politik dhe të ndiqja qetësinë time. Vendosa të vazhdoj luftën time politike dhe mendova shprehjen e famshme: Humba një betejë, por lufta vazhdon. Sot ndihem mirë dhe e kuptoj çdo ditë e më tepër se jam lidhur shumë me politikën. Ndoshta mbas disa viteve nuk do të jem një politikan aktiv, por do jem gjithmonë njeri politik.
Ju ka ndihmuar diplomimi në Fakultetin e Drejtësisë për t’u bërë një politikan i mirë?
Më ka ndihmuar të njoh mirë ligjet dhe problematikën ligjore në vend. Është një formim bazë që i duhet një politikani. Mendoj që çdo politikan duhet të ketë njohje të sistemit dhe kjo njohje vjen nga shkolla, por eksperienca në politike është një shkollë më vete dhe e pakrahasueshme.
Sa e vështirë është të jesh politikan në Shqipëri?
Është shumë e vështirë, së pari nga paragjykimet; se të gjithë politikanët janë njësoj. Së dyti, të jesh politikan duhet të bësh çdo gjë, të punosh për veten, për familjen, njerëzit që të rrethojnë, qytetarët që përfaqëson dhe çdo detyrim që rrjedh nga kjo fjalë. Një politikan duhet të jetë në spital tek një qytetar qe kërkon ndihmë, duhet të jetë kudo që kërkohet nga qytetarët. Nëse je kudo, nëse përgjigjesh gjithmonë në telefon, nëse, nëse.. atëherë je një politikan, që shumëkush e provon direkt këtë përkujdesje dhe me plot gojën thonë: Ky politikan është njeri, nuk është si të tjerët, por është si ne! Unë kam ndryshuar shumë opinione negative artificiale për veten dhe politikën në përgjithësi dhe për këtë ndihem vërtetë mirë dhe i obliguar për të vazhduar më tej në punën time. Të jem aty ku të tjerët kanë nevojë për mua dhe të ndihmoj me sa të mundem ata që kanë nevojë. Nëse nuk do ishit bërë politikan, çfarë profesioni tjetër do zgjidhnit?
Unë kam provuar gjithçka në jetën time. Kam bërë edhe punë të tjera dhe i kam bërë shumë mirë. Që në moshë të re, para ‘90, kam qenë një profesionist shumë i mirë. Kam punuar si elektro-auto për pak vite, kam qenë profesionisti më i mirë në Shkodër. Mbas viteve ‘90 jam marrë me politikë aktive, kam punuar për konsolidimin tim politik, kam vazhduar studimet e larta, kam mbaruar një sërë trajnimesh dhe kam bërë çdo gjë për të qenë një politikan i kompletuar dhe i suksesshëm. Jam votuar disa herë deputet, kryetar bashkie, funksione të ndryshme në ekzekutiv dhe në rrethana të ndryshme politike. Kam kandiduar me PD-në dhe kundër saj, kandidat i pavarur si kryetar bashkie, por gjithmonë më i votuari nga bashkëqytetarët e mi. Rrallë politikanë në Shqipëri kanë një karrierë të tillë politike, duke e nisur politikën nga baza dhe duke u rritur me votë, për të shkuar deri në majë të politikës. Duke u zgjedhur tri herë deputet, tri herë kryetar i grupeve parlamentare, zv/ministër, ministër dhe kryetar partie. Në të gjithë këtë veprimtari politike nuk kam pasur mbështetje, as nga padronët e politikës, as nga grupet kriminale, as nga financimet e pista, por vetëm mbështetje qytetare me votë.
Meqë jemi në këtë temë, i keni parë postimet me emrin tuaj në rrjetet sociale?
I kam parë thjeshtë për kureshtje dhe për të kuptuar autorësinë e tyre.
Ju ka bezdisur kjo gjë?
Të them jo, nuk është normale, por jo aq shumë sa kanë menduar ata që merren me të tilla intriga.
Pse mendoni se lindi e gjithë kjo?
Në politikë krijohen gjithmonë probleme artificiale dhe të sajuara. Këto janë kuzhinat mediatike të klaneve të ndryshme politike sot. Por kur merren me ty, tregon se ke vlerë!
Mos ndoshta duke ju cituar në këtë formë, jeni bërë akoma më i njohur? Si ju duket?
Është e vërtetë, se çdo e keqe, e ka edhe një të mirë. Ka disa që thonë, pse e luftojnë këtë njeri kaq shumë? Diçka do ketë këtu! Dhe këto enigma shpesh marrin një përgjigje dhe besoj, se e kanë marrë tashmë. Unë jam një politikan që nuk tërhiqem dhe as shantazhohem, por eci vetëm përpara me guxim dhe i orientuar drejt.
Mund të na thoni një shprehje “filozofike”, që të ketë vërtetë autorësinë tuaj?
Të them të drejtën nuk i kam lexuar të gjitha, por më shumë janë shprehje që të tjerët i kanë thënë ndër vite.
Cila prej shprehjeve që janë publikuar, ju ka bërë më shumë për të qeshur?
Duhanpirja shkurton cigaren! Këtë shprehje batutë e pranoj, pasi ligji kundër duhanit hyri në fuqi kur unë drejtoja Ministrinë e Shëndetësisë. Dhe për këtë autorësi kam krijuar “armiq” duhanpirës. Ndërsa shprehjet e tjera janë përdorur rëndom aty këtu, si batuta popullore ndër vite.
Jua përmendin njerëzit këtë fakt, gjatë takimeve në fushatë?
Asnjëherë nuk e kam dëgjuar, as në fushatë, por as në kafene. Ata që merren me këtë “çorbë elektronike”, janë njerëz që janë shkëputur nga realiteti njerëzor, që nuk kanë bërë asgjë të dobishme në jetën e tyre, por vetëm merren me të tjerët.
Çfarë kërkojnë qytetarët nga ju, në këto takime?
Problematikat janë të ndryshme, por qytetarët kërkojnë në radhë të parë, që të kenë një marrëdhënie njerëzore me përfaqësuesit e tyre politikë, që të vazhdojë përtej fushatës elektorale. Unë e kam dhënë këtë garanci gjithmonë dhe kjo po zgjerohet dhe konsolidohet çdo ditë e më tepër. Më gjeni dot një politikan, që ka të njëjtin numër telefoni prej 10 vitesh, apo një politikan që hap çdo numër telefoni?
Unë në marrëdhëniet e përditshme të punës si politikan di të them ‘po’, por them edhe ‘jo’, asnjëherë ‘të shohim’… !
Keni akuzuar z. Rama se nuk po i bënte opozitë të fortë kryeministrit Berisha, e ndërkohë u bashkuat me koalicionin e tij? A ka një nonsens në këto qëndrime?
Përkundrazi, unë kam dhënë një kontribut në opozitë, si politikan dhe si parti politike. Kam kontribuar që opozita të jetë një alternativë politike e besueshme dhe jo një lëvizje anarkiste e ç’organizuar. Lidershipi i PS-së nuk arriti ta bashkojë opozitën, nuk arriti të kryejë reformën zgjedhore, nuk arriti të riparojë Kushtetutën, nuk u bë pjesë e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, nuk zhbllokoi integrimin për tri vite rresht. Këto kritika janë bërë nga unë dhe forca politike që përfaqësoj, në tryezat e opozitës, por edhe në mënyre publike. Kur kupton se lidershipi i PS-së nuk kërkon standarde për zgjedhjet, por vetëm garanci për vete, kur kupton se opozita nuk do opozitë të bashkuar, por pazare me një parti dhe përjashtim për të tjerët, atëherë duhet reflektim dhe vendim politik. Sot ndihem mirë përpara të gjithë qytetarëve, qofshin këta me bindje të majta, apo të djathta. Se mendimet dhe vendimet e mia i kam bërë publike kohë më parë. Nëse opozita nuk reformon Kodin Zgjedhor, nëse opozita nuk ndërton një koalicion mbi bazë morali dhe vlerash, PDK-ja nuk do të jetë pjesë e saj. Jam i vetmi politikan opozitar që kuptova në kohë dredhinë dhe pabesinë politike të lidershipit të PS-së, ndaj mendoj dhe besoj se opozita që drejtohet nga dy persona duhet të ndëshkohet me votë qytetare.
A shfaqin qytetarët pakënaqësi për kalimin tuaj tek e djathta?
Bindjet e mia politike dhe të partisë që drejtoj janë të djathta, pra bashkëpunimi natyral është djathtas. Kam qëndruar në koalicion me të majtën, se isha në opozitë, do vazhdoja nëse e majta vendoste standarde përfaqësimi për të gjithë njësoj. Për kalimin tonë tek e djathta, qytetarët shfaqin simpati dhe shumë respekt. Ne kaluam djathtas, atëherë kur e majta u bë aq pis, sa po na njolloste të gjithëve.
Nëse fiton PD-ja, ju synoni një post si ministër, cilin më konkretisht?
PD-ja dhe lidershipi i saj i dha vlerë pluralizmit politik tek e djathta, duke krijuar hapësira për përfaqësim në Kuvend, ndaj marrëdhënia jonë politike do të jetë një marrëdhënie korrekte dhe mbështetje për qeverinë e re pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Partia Demokristiane e Shqipërisë ka dhëne prova që përgjegjësitë që i ngarkohen i kryen më së miri.

The post Nard Ndoka: Kur isha ministër, im bir punonte kamarier appeared first on Lajmet e fundit nga Shqiperia, Kosova dhe Maqedonia.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 2545

Latest Images